E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Në institucione, persona që dënuan të pafajshëm

Tiranë- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar sot rëndësinë e hapjes së dosjeve dhe zbardhjen e të vërtetave në sytë e gjithë shqiptarëve.

Sipas saj, për shqiptarët nuk duhet të ketë më sekrete. “Është e pafalshme që persona që kanë dënuar njerëz të pafajshëm gjatë kohës së diktaturës qëndrojnë sot në krye të institucioneve të larta drejtuese”- tha ajo, pas përfundimit të një dokumentari për krimet e diktaturës në Shqipëri.

Në shfaqjen e dokumentarit ka qenë i pranishëm edhe kreu i shtetit, Bamir Topi, sipas të cilët ndonëse flitet shumë për të përndjekurit, është bërë pak.

“Të gjithë këta të persekutuar realisht duhet të flasin shumë. Edhe ata që flasin në emër të tyre po i konsumojnë kartën morale të fundit këtij problemi, për të cilin në gati 20 vjet demokraci ka shumë demagogji dhe për fat të keq nuk ka veprime", tha kreu i shtetit.

Interesimit të mediave për emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kreu i shtetit ka pranuar të mos i përgjigjet. Ai nuk ka dashur të bëjë komente rreth kohës së publikimit të emrave. “Sot është momenti për të heshtur dhe për të respektuar figurat e kombit të vrara nga diktatura”- tha Topi.

Ndërkohë, sipas Topallit ka ardhur koha që të hapen arkivat e shtetit dhe të zbardhen të vërtetat.

Dokumentari "Gjenocidi mbi Elitën e kombit shqiptar nën terrorin komunist" u shfaq sot në sallën e Qendrës Kulturore të Ushtrisë dhe solli dëshmi tronditëse të gjenocidit dhe persekutimit të egër që diktatura komuniste ushtroi mbi elitën intelektuale të kohës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›