Tragjedi në Francë/ Autobusi i shkollës del nga rruga, humbin jetën 2 fëmijë, disa të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së premte (6 nëntor) në Francën lindore, ku një autobus shkollor ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal pranë qytetit Lent.
Sipas informacioneve të prefekturës, të raportuara nga televizioni Bfmtv, aksidenti ka shkaktuar disa viktima. Raportimet paraprake bëjnë fjalë për të paktën dy fëmijë që dyshohet se kanë humbur jetën. Nga aksidenti ka edhe disa të plagosur, ndërsa të paktën tre prej tyre raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kryetari i bashkisë së Lent, Yves Cristin, bëri të ditur se autobusi doli nga rruga dhe u përplas me një pemë në kanalin ku përfundoi. Ai raportoi gjithashtu për dy persona në arrest kardiak dhe një numër të konsiderueshëm të plagosurish.
Pas ngjarjes së rëndë, ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, njoftoi përmes një postimi në rrjetin social X se do të udhëtonte drejt vendit të aksidentit.
Rrethanat e aksidentit dhe bilanci përfundimtar i viktimave mbeten ende për t’u konfirmuar nga autoritetet franceze.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.