Tragjedi në Tiranë, vritet me thikë një punonjës lokali pas një konflikti, arrestohet autori i dyshuar

Një ngjarje e rëndë tronditi sot pasdite zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku një konflikt i shkurtër mbaroi me pasojë vdekjen e një personi.
Rreth orës 15:30, Policia e Tiranës ka njoftuar se në ambientet e një lokali në atë zonë, ka ndodhur një ngjarje ku një shtetas dyshohet se ka qëlluar me mjet prerës një tjetër.
Sipas njoftimit zyrtar, autori i dyshuar është shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, i cili dyshohet se gjatë një konflikti me motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç. Të dy personat e përfshirë rezultojnë të jenë punonjës të po këtij lokali.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, viktima, shtetasi I. I., ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur kapja dhe shoqërimi i në Komisariat i shtetasit F. Sh., menjëherë pas kryerjes së krimit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për përcaktimin e rrethanave të sakta, dokumentimin e plotë të rastit dhe zbardhjen e detajuar të dinamikës së konfliktit.
/rtsh.al/