E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Çasti i duhur” në RTSH- Lorenc Hasrama para Fest 64: Lufta ime më e madhe është me veten, publiku vendos për çmimin

Një nga zërat më të njohur të skenës muzikore shqiptare, Lorenc Hasrama, ka qenë i ftuar në emisionin “Çasti i duhur” në RTSH, i drejtuar nga Fjodora Fjora, teksa përgatit hyrjen e tij në skenën e Fest 64. Gjatë bisedës, Hasrama ka ndarë pikat kryesore të filozofisë së tij artistike, duke theksuar se gara personale i kalon emocionet e konkurrencës me kolegët.

“Çdo artist ka të veçantat e veta. Nuk mendoj se ka nevojë për të pasur shumë luftë. Mjafton të kesh dashurinë e publikut. Vij nga live dhe e kam dashuruar gjithnjë live-n,” u shpreh Hasrama, duke nënvizuar se për të, vlerën më të madhe të eventeve muzikore e përbën “katapultimi në skenat e mëdha muzikore.”

Nevojat e artistit dhe kënga për nënën

Hasrama reflektoi mbi ritmin e shpejtë të tregut muzikor, i cili kërkon vazhdimisht krijime të reja, duke pranuar se ndonjëherë ndjen nevojën për t’u “zhdukur” për të marrë frymë“. Ai rikujtoi performancën e vitit të kaluar në Fest 63 me këngën kushtuar nënës, një krijim i shkruar nga një mik, bazuar në ikjen e së ëmës së tij.

“Është këngë që prek, ndaj unë shpesh rezervohem të flas për të, por i dhashë të gjitha ndjesitë e mia duke e kënduar me emocion këngën,” rrëfeu ai.

Artisti theksoi se është tip që eksploron me zhanret muzikore. Lidhur me pjesëmarrjen e tij të ardhshme, ai zbuloi se kënga për Fest 64 është krejtësisht e tij.

“Kënga që do jem në Fest 64, është tipike për festival dhe është shkruar nga unë. E kam menduar prej vitesh dhe më erdhi natyrshëm krijimi.”

Për sa i përket performancës, ai preferon thjeshtësinë: “Në festival mund ta këndoj me një piano, sepse është instrumenti që nuk më ndahet në studio dhe kur kompozoj.”

Vlerat e Festivalit dhe publiku

Duke analizuar tregun muzikor shqiptar, ai theksoi se në një vend të vogël me shumë artistë të mrekullueshëm, tregu ka tendencë të përqendrohet në një lloj zhanri.

Megjithatë, Hasrama është i bindur për rrugën e tij. “Mendoj se këngë të tilla, siç është edhe imja, i shkojnë vetëm natyrës së Festivalit. Duke qenë se jam këngëtar live, më pëlqen ta përjetoj emocionin live në festival.”

Përballë çdo rezultati, këngëtari mban një qëndrim të qetë dhe të fokusuar te puna: “Nuk e vras shumë mendjen për gjërat që unë nuk i kam në dorë, sepse për çmimin vendos publiku. Unë zgjedh të jap më të mirën time.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›