Tre histori suksesi në “Flasim”, Rama paralajmëron mbështetje të re për biznesin

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë episodit të 12-të të sezonit të gjashtë të podcastit “Flasim”, me temë “S’ka si Shqipëria”, pasqyroi historinë e tre sipërmarrësve që kanë arritur nga zero një sukses të konsiderueshëm në fushën e tyre.
Argjend Goci, sipërmarrës në tregun e mjeteve elektrike, gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin Rama, rrëfeu historinë e tij. Ai tha se kishte lënë vitin e fundit të universitetit për t’u angazhuar në biznes.
“Ishte viti 2011. Hapa kompaninë ‘Merr Taksi’, e para e kohës, që u ngrit me makina të blera nga ne, shoferë me rrogë fikse dhe më pas, pas 10 vitesh operim në tregun e taksive, duke kërkuar për të shtuar flotën, kaluam te makinat elektrike. Aty më pas na u desh një importues i besueshëm dhe kështu udhëtova në Kinë, ku u prezantova me importuesin që kam sot bashkëpunëtor. Përveç makinave që i përdor për taksi, ata më sugjeruan edhe idenë e shitjes së makinave. Aty ishte një ‘dritë jeshile’ për këtë biznes dhe iniciativë që mora, dhe besoj se kemi ecur me hapa të mirë”, tha ai.
Ai tregoi edhe sesi i lindi ideja për kompaninë e taksive.
“Unë isha me shokun tim, ai kishte makina me qira, por biznesi nuk po i ecte mirë. Shkuam në Maqedoninë e Veriut dhe aty pamë një sipërmarrës që po i montonte GPS taksive. Duke parë këtë ide, bëra një plan biznesi dhe ia paraqita bankës. Unë isha me zero lekë, nuk paguaja dot asgjë. Bankës i pëlqeu ideja dhe më dha mundësinë të licensonim taksitë për kohën. Taksia të zë shumë orë të ditës e natës. Unë nuk bëja shoferin, por menaxhoja linjën telefonike dhe kisha GPS për të kontrolluar shoferët. Sot kanë kaluar 15 vite nga ai moment dhe kemi pesëfishuar flotën, kemi mbi 100 mjete në rrugë. Makinat që kemi sot kanë autonomi deri në 600 km.”
Për furnizimin e mjeteve me enegji elektrike, ai theksoi se në këtë kuadër është edhe një projekt i OSHE-së, ku parashikohet që në çdo hyrje të qyteteve të ketë karikues elektrikë.
“Shqipëria është perfekte për makinat elektrike, për shkak të klimës. Dimri është i butë, ndërsa në temperatura shumë të ulëta bie autonomia, pasi bateria përdoret edhe për ngrohje dhe kondicionim.”
Sipas tij, vendi në Evropë me më shumë makina elektrike është Norvegjia, ndërsa shtoi se nga ana ekonomike këto mjete janë shumë më të favorshme, pasi nuk kanë kosto për vaj, filtra etj. Importet, tha ai, vijnë kryesisht nga Kina dhe Evropa.
Ai bëri të ditur se në vitin 2025 u shitën rreth 6200 makina elektrike, ndërsa deri në vitin 2024 në Shqipëri kishte rreth 6000 të tilla, çka tregon një dyfishim dhe një trajektore të qartë drejt tregut të mjeteve elektrike.
“Besoj se në fund të këtij viti do të ketë mbi 20 mijë makina elektrike në total në Shqipëri. Në vitin 2025, një në dy makina të shitura ishte elektrike. Jemi në nivele të krahasueshme me Norvegjinë, e cila ka naftë, ndërsa ne kemi diellin dhe ujin që i kthejmë në energji për furnizimin e makinave, duke fuqizuar kështu ekonominë vendase”, u shpreh ai.
“Plani im lidhet me fuqizimin e tregut në Kosovë, ku kemi hapur përfaqësi dhe zgjerimin në Maqedoninë e Veriut”, nënvizoi Goci.
Nerta Tushe, nënë e tre fëmijëve, e rritur në Athinë, tashmë ka hapur në Shqipëri një laborator për prodhimin e produkteve kozmetike organike dhe synon ta zgjerojë më tej biznesin e saj.
“Kam studiuar biologji dhe kam nisur të prodhoj produktet e para përpara studimeve. Pas diplomimit, u specializova në kozmetikë organike. Jam rritur në Athinë, ku kam jetuar dhe studiuar. Kam tre fëmijë dhe një pjesë të jetës familjare e kam ndërtuar atje. Produktet i prodhoja në Athinë dhe i sillja në Shqipëri. U ktheva sepse pashë që këtu kishin treg. U vendosëm në Lushnjë, ku ndërtuam laboratorin e parë të këtij lloji. Sot prodhojmë edhe për linja të treta dhe për tregun ndërkombëtar”, tha ajo.
Ajo shtoi se laboratori ka rreth 10 vite aktivitet dhe produktet eksportohen në SHBA, Dubai dhe Angli, duke theksuar se kanë marrë edhe certifikimet nga FDA.
“Shqipëria, për shkak të klimës, ka bimë medicinale ndër më të mirat. Kemi zhvilluar produkte konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Gjithashtu po punojmë për reduktimin e mbetjeve plastike përmes ambalazheve të rimbushshme dhe skemave të riciklimit për klientët”, u shpreh ajo.
Nerta tregoi se prodhonte dhe solucione për pastrimin e floririt dhe diamanteve në Dubai.
Marjus Myzeqari, sipërmarrës me një qasje inovative që lidh shëndetin e njeriut me atë të kafshëve dhe bimëve, theksoi se Shqipëria ka kapacitete të jashtëzakonshme për prodhime bio.
“Prej disa vitesh jemi të angazhuar në konceptin ‘One Health’, që lidh tokën, mjedisin, bimët, kafshët dhe njeriun në një sistem të vetëm. Në nivel molekular, të gjitha format e jetës kanë përbërje të ngjashme dhe zhvillohen sipas cikleve të tyre biologjike”, tha ai.
Ai tregoi se ka emigruar në Itali në moshë të vogël dhe është rikthyer në Shqipëri për të realizuar studimet dhe për të ndërtuar biznesin.
“Kompania u krijua në vitin 2022 dhe produkti doli në treg në 2024. Kemi partnerë në Zvicër për analizat dhe prezantimin në tregun global. Po punojmë për një projekt ‘greenfield modular’, një qendër prodhuese e ndarë sipas kategorive të inputeve, me një investim rreth 5–5.3 milionë euro, që përfshin edhe ndërtimin e një laboratori të avancuar për të eliminuar hallkën e Zvicrës, pasi kemi të gjitha kapacitetet dhe njohurit për ta realizuar vetë certifikimin”, u shpreh ai.
Ai shtoi se janë duke zhvilluar edhe projekte për eliminimin e aflatoksinës, në bashkëpunim me institucione vendase.
Kryeministri Edi Rama, duke dëgjuar historitë e tre sipërmarrësve, tha se qeveria po punon për një program të ri në mbështetje të bizneseve që kanë hedhur hapat e parë.
Rama theksoi se mekanizmi synon dyfishimin e kapaciteteve të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe do të jetë i ngjashëm me skemat e garancisë sovrane për fermerët.
“Jemi duke punuar për një program të ri, që unë e kam nxitur dhe besoj që shpejt do dalim në një konkluzion që është pikërisht një program për të mbështetur nivelin tjetër të ambicies së atyre që kanë hedhur një bazë dhe që janë në kushtet kur për arsye pamundësie financiare mundi t’i kenë gati gjërat, por nuk e bëjnë dot hapin tjetër dhe vazhdojnë të përpiqen të krijojnë kushte financiare.” – u shpreh gjatë bashkëbisedimit kryeministri Rama, teksa theksoi se përmes instrumenteve të dedikuara dhe garancive sovrane, ky program pritet të lehtësojë aksesin në financim dhe të nxisë një fazë të re zhvillimi për bizneset shqiptare, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe krijimin e më shumë mundësive në vend.
“Programi do të duhet të ketë disa instrumente financiarë për t’i dhënë akses ndërrmarjeve të vogla dhe të mesme, që të rriten. Është një program që duhet të mbështetet nga një garanci sovrane, siç mbështesim ato sipërmarrjet në bujqësi, se mbështesim edhe pikërisht sipërmarrjet e vogla dhe të mesme me një instrument financiar ku shteti bëhet garant në forma të ndryshme, ku mund të hyjnë bashkitë me një pjesëmarrje në varësi nga natyra e ndërmarrjes.”, informoi kryeministri Rama.
Ai shtoi se një nga idetë për emërtimin e programit është “Dyfisho Ndërmarrjen”, por ende nuk është vendosur përfundimisht.
1 nga 3