Tritol në hyrjen e pallatit , humb jetën 67-vjeçari në Shkodër, dyshohet për atentat

Një 67-vjeçar, i identifikuar si Hysni Ymeri humbi jetën si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në hyrjen e pallatit ku ai banonte në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 10:10 minuta, ku burime nga grupi hetimor bënë me dije për Vizion Plus se kemi të bëjmë me shpërthim tritoli, ndonëse në njoftimin paraprak për ngjarjen, policia tha se ka shpërthyer paneli i matësve të energjisë elektrike.
Hetimet ndryshuan pistën e ngjarjes, pasi edhe vetë OSHEE reagoi duke sqaruar se boksi i matësave nuk shpërthen, por në raste defektesh merr zjarr. Kjo ngre edhe më shumë dyshimet për një atentat të mundshëm dhe lënda palsëse dyshohet se është vendosur në sahatet e energjisë.
Për këtë qëllim nga Tirana mbërriti grupi i posaçëm i forcave xhenio, që me grupin hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Hysni Ymeri jetonte në katin e katërt të pallatit me bashkëshorten, e cila mësohet se ndodhej në spital në momentin e ngjarjes tragjike, pasi është e sëmurë.
67-vjeçari ka qenë duke dalë nga pallati kur ka ndodhur shpërthimi. Pista e parë e hetimit ku policia dyshon, është ajo e gjakmarrjes, pasi në vitin 1995 vëllai i viktimës është përfshirë në një ngjarje kriminale në Shkodër.
Njësia anti-eksploziv pritet të percaktojë edhe llojin e lëndës plasëse, si dhe nëse kemi të bëjmë më shpërthim të telekomanduar, pra shpërthim në distancë përmes celularit. Shpërthimi, i cili mund të rezultonte fatal për shumë nga banorët e pallatit që banojnë aty, ka qenë aq i fuqishëm, sa ka shkatërruar plotësisht kutinë e matëseve të energjisë në hyrje dhe disa pjesë metalike në shkallë.