Trump prezanton vizat “Gold Card”, rrugë e shpejtë drejt shtetësisë për ata që paguajnë 1 milion dollarë

Presidenti amerikan Donald Trump ka lançuar një skemë të re emigracioni që u ofron të huajve të pasur një rrugë të përshpejtuar drejt qëndrimit dhe më pas shtetësisë amerikane, përmes një pagese prej 1 milion dollarësh.
Sipas njoftimit zyrtar, “Trump Gold Card” u jep aplikantëve të kualifikuar një “rrugë të drejtpërdrejtë drejt shtetësisë”, ndërsa synon të ndihmojë kompanitë amerikane të mbajnë “talentet e tyre të paçmueshme”.
Kjo skemë ofron rezidencë në SHBA në “kohë rekord”, ndërsa tarifa për bizneset që sponsorizojnë punonjës është 2 milion dollarë.
Së shpejti pritet edhe varianti “Platinum”, me lehtësime tatimore, që do të kushtojë 5 milion dollarë
Trump thotë se programi është i dizajnuar për profesionistë të nivelit të lartë dhe individë që mund të sjellin përfitime ekonomike të menjëhershme. “Personat që paguajnë 5 milionë dollarë do të krijojnë vende pune. Është një marrëveshje e mirë,” deklaroi ai.
Skema është kritikuar nga disa demokratë, të cilët thonë se favorizon padrejtësisht të pasurit. Ajo vjen në një moment kur administrata Trump po zbaton masa të ashpra ndaj imigracionit, përfshirë rritjen e tarifave të vizave të punës, deportimin e emigrantëve pa dokumente, pezullimin e aplikimeve nga 19 vende të përfshira në ndalimin e udhëtimit si dhe ngrirjen e vendimeve për azil dhe rishikimin e mijëra rasteve të miratuara gjatë administratës Biden.
Në shtator, Trump nënshkroi gjithashtu një urdhër që vendos një tarifë prej 100,000 dollarësh për aplikantët e rinj të vizës H‑1B që ndodhen jashtë SHBA, duke shkaktuar shqetësim te studentët ndërkombëtarë dhe kompanitë teknologjike.
/rtsh.al/