Tuneli i Llogarasë bëhet me pagesë, sa do të jenë tarifat

Tarifimi për përdorimin e Tunelit të Llogarasë pritet të hyjë në fuqi këtë muaj, duke i dhënë fund periudhës së kalimit pa pagesë dhe duke vendosur një sistem të ri rregullimi për qarkullimin në këtë aks të rëndësishëm rrugor.
Sipas udhëzimit të përbashkët të qeverisë , tarifat janë të diferencuara në bazë të kategorisë së mjeteve.
Motoçikletat dhe triçiklat do të paguajnë 100 lekë, ndërsa automjetet e lehta 250 lekë.
Për mjetet më të mëdha, si kamionët dhe autobusët, tarifat variojnë nga 350 lekë deri në 500 lekë.
Ndërkohë, një kategori e caktuar mjetesh do të përjashtohet nga pagesa. Në këtë listë përfshihen automjetet e Policisë Rrugore, autoambulancat, zjarrfikëset, mjetet ushtarake si dhe persona me status invalidi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, është ndaluar qarkullimi në tunel për mjetet që transportojnë mallra të rrezikshme, për arsye sigurie.
Ky vendim synon të garantojë mirëmbajtjen dhe operimin efikas të tunelit, një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit, duke rritur njëkohësisht sigurinë dhe standardet e shërbimit për përdoruesit e rrugës.