E Hënë, 2 Nëntor 2026

Turqia akuzon Izraelin për “akt terrorizmi” me ndërprerjen e flotiljes së Gazës

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka akuzuar Izraelin se po kryen “akt terrorizmi” duke ndaluar flotiljen e aktivisteve që shkonte për në Gazë me ndihma humanitare.

“Sulmi i forcave izraelite në ujërat ndërkombëtare kundër flotiljes Global Sumud, e cila ishte në rrugë për të ofruar ndihmë humanitare për popullin e Gazës, është një akt terrorizmi që përbën shkeljen më serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe rrezikon jetën e civilëve të pafajshëm”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë për mediat.

Ndërkaq, tensioni është rritur ndjeshëm në orët e fundit teksa Flotilja Globale Sumud, me një duzinë anijesh që transportojnë ndihma humanitare drejt Rripit të Gazës, po i afrohet zonës së përjashtimit të shpallur nga Izraeli. Aktivistët në bord raportojnë për afrimin e anijeve ushtarake dhe dronëve izraelitë, duke e cilësuar kapjen e mundshme në ujërat ndërkombëtare si një “akt piraterie”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Arturo Scotto, i cili ndodhet në bordin e Flotiljes, njoftoi se 12 anije të paidentifikuara po i afrohen grupit, rreth pesë milje larg. Ai theksoi se Flotilja tani është rreth 75-90 milje larg Gazës dhe se presin që Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) “së shpejti do të na kapin”.

“Do të na kapin në ujëra ndërkombëtare dhe ka të ngjarë të na arrestojnë. Do të ishte e paligjshme,” tha Scotto, duke shtuar se do të ndjekin rregullat e rezistencës pasive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›