E Hënë, 2 Nëntor 2026

U dogj nga zjarret, gati projekti për rikonstruksionin e Kishës së Leklit në Tepelenë

Kisha e Profetit Ilia në fshatin Lekël të Tepelenës, monument kulture i kategorisë së dytë, nuk i shpëtoi flakëve masive që përfshinë këtë vit jugun e Shqipërisë.

Zjarri shkaktoi dëmtime në pjesën e çatisë, duke rrezikuar strukturën e këtij objekti të rëndësishëm të kultit.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Gjirokastër ndërmori menjëherë masat e nevojshme për të mbuluar provizorisht kishën, me qëllim parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme.

Aktualisht, kisha është inspektuar edhe nga specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Nga raportimi i tyre rezulton se pjesa e brendshme nuk është prekur nga zjarri, ndërsa është përgatitur projekti i ndërhyrjes për restaurimin e pjesës së çatisë.

“Pjesa e brendshme e kishës nuk është e përfaqësuar me objekte afreske apo me elemente murale që mund të dëmtoheshin, por edhe vetë gjendja aktuale e këtij objekti e ka evituar dëmtimin e pjesëve të brendshme. Pjesa e çatisë, e cila është prej tjegullash, dërrasash dhe elemente druri, është djegur nga zjarri,” tha Ardis Duka, drejtor i DRTK Gjirokastër.

Ky veprim i shpejtë siguron ruajtjen e objektit dhe lehtëson planifikimin e restaurimeve të mëtejshme, duke garantuar që monumenti të mos pësojë dëmtime të pariparueshme.

Gazetare: Boralda Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›