E Diel, 1 Nëntor 2026

U kthye nga Italia për të ndërtuar agroturizëm në Kavajë, Koçiu: Histori që po e shohim gjithnjë e më shpesh

TIRANË, 25 gusht/ATSH/ Në Zig Xhafaj të Kavajës, agroturizmi “Sacro e Profano” ka nisur të shndërrohet në destinacion që ndërthur traditën, përvojën e fituar në Itali dhe mikpritjen shqiptare, duke i dhënë një rol të rëndësishëm edhe produkteve të fermerëve të zonës.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau sot shembullin e suksesit të Xhovanit, i cili u rikthye në Shqipëri nga Italia me dëshirën për të ndërtuar agroturizmin e tij.

“Nga Italia në Kavajë. Nga një eksperiencë e gjatë jashtë vendit, tek një ëndërr e bërë realitet në vendlindje. Xhovani u rikthye në Shqipëri me dëshirën për të ndërtuar agroturizmin e tij dhe sot, në Zig Xhafaj, “Sacro e Profano” ndërthurur traditën, përvojën, mikpritjen shqiptare dhe produktet e fermerëve të zonës”, tha Koçiu.

Koçiu vlerësoi se ky është një investim që i jep vlerë prodhimit vendas dhe po kthehet në një destinacion tërheqës për turistët vendas e të huaj.

“Një histori që po e shohim gjithnjë e më shpesh: përvoja e fituar në botë, rikthimi në Shqipëri dhe një ide që kthehet në sipërmarrje, punë dhe më shumë vlerë për vendin”, tha Koçiu.

Zv/kryeministrja solli në vëmendje edhe programin e qeverisë shqiptare “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili vijon të mbështesë sipërmarrësit që duan të investojnë në agroturizëm, me kredi deri në 200 milionë lekë për subjekt dhe garanci sovrane deri në 70%.

1 nga 11

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›