Skema Kombëtare nxit zgjerimin e prodhimit, Forest Lake investon në shegë dhe agrume në Konispol

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Mbështetja nga Skema Kombëtare po nxit fermerët dhe sipërmarrjet bujqësore të zgjerojnë sipërfaqet e kultivuara dhe të investojnë në mekanizimin e bujqësisë.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) solli shembullin e kompanisë “Forest Lake” në Konispol, e cila është e specializuar në prodhimin e shegëve dhe agrumeve.
Kompania disponon mbi 70 hektarë me shegë dhe 12 hektarë me agrume. Prodhimi i saj furnizon tregun vendas, ndërsa pjesa më e madhe orientohet drejt eksportit.
Përfaqësuesi i “Forest Lake”, Shpëtim Shehu tha se aktiviteti me shegët nisi në vitin 2016 me një sipërfaqe prej 10 hektarësh, ndërsa tashmë kompania synon të zgjerojë më tej prodhimin përmes investimeve të reja.
“Kam filluar me mbjelljen e shegëve në vitin 2016, me 10 hektarë. Kam aplikuar tek AZHBR-ja për mbjellje të reja dhe mekanizim bujqësor dhe kemi lidhur kontratën”, u shpreh Shehu.
Në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, “Forest Lake” ka lidhur kontratë për mbjellje të reja dhe mekanizimin e aktivitetit bujqësor.
Sipas AZHBR-së, këto investime synojnë zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara, rritjen e sasisë së prodhimit dhe përmirësimin e rendimentit, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme zhvillimit të agrobiznesit në zonën e Konispolit.
Mbështetja përmes skemave kombëtare synon të nxisë investimet në bujqësi, modernizimin e fermave dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese, me qëllim forcimin e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe orientimin e tyre drejt tregjeve të huaja.
/e.xh/j.p/r.e/