U rrëzuan nga shkëmbi, ngordhin mbi 80 buaj në Namibi

Mbi 80 buaj kanë ngordhur pasi kanë shtypur njëri-tjetrin dhe janë mbytur në lumë, raporton departamenti i mjedisit dhe turizmit në Namibi.
Sipas BBC, buajt po ndiqeshin nga luanët në Botsvanën fqinje kur ranë nga një shkëmb i madh drejt e në lumin Chobe në anën kufitare të Namibisë.
“Kur ata ndiqen nga luanët, përpiqen të kalojnë në Namibi dhe pengohen mbi njëri-tjetrin”, tha një zyrtar nga Konservatori të Namibisë.
Një zëdhënëse e ministrisë, Ndeshipanda Hamunyela, konfirmoi se kafshët po vinin nga Botsvana, por nuk tha nëse i përkisnin parkut.
Ajo shtoi se mishi “do t’u shpërndahej komuniteteve të zonës”.
Në një video të shpërndarë nga NBC në X, banorët shihen në bregun e lumit duke e ndarë mishin mes tyre.
Qindra buaj kanë ngordhur në rrethana të ngjashme në të shkuarën.
Në vitin 2018, rreth 400 buaj ngordhën pasi ranë në lumin që përshkon Parkun Kombëtar Chobe, një pikë turistike e njohur për numrin e madh të elefantëve, buajve dhe gjirafave.
/rtsh.al/