E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama në Berat: Kemi më shumë investime të huaja se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se “Shqipëria sot është vendi në rajonin e Ballkanit Perëndimor që e ka rritur më shumë nga të tjerët, prodhimin e përgjithshëm kombëtar”.

Gjatë kohës që Rama ishte duke folur në takimin përmbyllës elektoral sot në Berat, mbi sheshin ku po zhvillohej takimi u shfaq në fluturim fotografi nga ajri Alket Islami. Rama tha se Alketi është shembulli që e njeh Shqipërinë më mirë se sa ka ecur në turizëm.

“Ky është Alketi, prova e sigurt e ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur, se Alketi ka që në ’91-shin që e sheh Shqipërinë nga lart dhe duke e parë Shqipërinë nga lart, është bërë një mbështetës i paepur i PS dhe më çon mua foto nga lart, e më thotë: ‘Ah, sikur të mund t’i merrja ca nga këta që flasin në televizione ta shikonin Shqipërinë siç e shoh unë që të kuptonin sesi Shqipëria ndryshon në mënyrë marramendëse’. Ndryshimi i Shqipërisë tregohet shumë qartë në shifra. Në këtë rrugëtimin tonë Shqipëria është vendi në rajonin e Ballkanit Perëndimor që e ka rritur më shumë nga të tjerët prodhimin e përgjithshëm kombëtar. E kishim më pak se 10 miliardë euro, sot e kemi 25 miliardë euro dhe në Shqipërinë 2030 do ta çojmë në 35 miliardë euro”, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se, Shqipëria sot është vendi që ka më shumë investime të huaja se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka një nivel tjetër pagash, punësimi, eksportesh.

“Eksportonim kur morëm detyrën më pak se 3 miliardë dhe sot eksportojmë mbi 9 miliardë. Kjo është Shqipëria që në 11 maj do të mbështesë veten duke mbështetur PS. Në çdo palë zgjedhje ka rëndësi sesi populli vendos, në çdo palë zgjedhje vendoset për 4 vitet e ardhshme, por në 11 maj vendoset për gjeneratat e tjera. Sepse në 11 maj shqiptarët duhet të marrin përsipër atë që na ka përcaktuar fati dhe na ra neve në dorë, të përmbushim një mision historik kombëtar dhe ta vendosim Shqipërinë e cila gjeografikisht është vendosur në mes të Europës dhe politikisht brenda Europës dhe Shqipëria të jetë e barabartë mes të barabartëve”, tha Rama.

(vijon …)

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›