E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA ofron shpërblim historik 50 milionë dollarësh për arrestimin e Maduros

UASHINGTON, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe Departamenti amerikan i Shtetit dyfishuan shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin e udhëheqësit autoritar venezuelian, Nicolas Maduro në 50 milionë dollarë.

“Maduro përdor organizata të huaja terroriste si ‘Tren de Aragua’, ‘Sinaloa’ dhe ‘Cartel de Soles’ për të sjellë dhunë vdekjeprurëse në vendin tonë”, theksoi prokurorja e përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi në një deklaratë video, duke e quajtur shpërblimin “historik”.

”Administrata amerikane e Zbatimit të Ligjit për Drogën (DEA) ka sekuestruar 30 tonë kokainë të lidhura me Maduron dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë gati shtatë tonë të lidhur me vetë Maduron, të cilat përfaqësojnë një burim kryesor të ardhurash për kartelet kriminale me bazë në Venezuelë dhe Meksikë”, shtoi Bondi.

”Maduro është një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë dhe një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Prandaj, ne e kemi dyfishuar shpërblimin e tij në 50 milionë dollarë”, theksoi Bondi.

Sipas qeverisë amerikane, regjimi i Maduros e ka transformuar Venezuelën në një narkoshtet, duke krijuar aleanca me gueriljet kolumbiane për të eksportuar drogë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara përmes një organizate të njohur si ”Karteli i diejve”, që dyshohet se përbëhet nga zyrtarë të lartë venezuelianë.

Në vitin 2020, Maduro u padit në një aktakuzë federale në Qarkun Jugor të Nju Jorkut për narkoterrorizëm, komplot për importimin e kokainës dhe posedim e komplot për posedimin e mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›