UASHINGTON – SHBA sekuestron një tanker pranë Venezuelës, me dyshimin për lidhje terroriste

UASHINGTON, 11 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një tanker i sekuestruar nga ushtria amerikane pranë brigjeve të Venezuelës është pjesë e një rrjeti të paligjshëm transporti nafte që mbështet organizata të huaja terroriste, deklaroi prokurorja e përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi.
Ajo shkroi në platformën X se ”anija ishte përdorur për të transportuar naftë të sanksionuar nga Venezuela dhe Irani”.
Bondi tha se ”tankeri ishte nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara prej disa vitesh dhe se ushtarët kishin ekzekutuar tashmë urdhrin e sekuestrimit”.
Ajo publikoi gjithashtu një video që pretendohet se tregon operacionin.
Në pamjet filmike, një helikopter afrohet drejt tankerit, ndërsa ushtarë zbresin me litarë në kuvertën e anijes me armë në duar për të marrë kontrollin e anijes.
Asnjë anëtar i ekuipazhit nuk duket në video.
Fillimisht mbeti e paqartë se ku ishte nisur anija dhe nën cilin flamur lundronte./ /Ad.Ab./ a.jor.