UKRAINË – Zelensky: SHBA të reagojë pas përdorimit nga Rusia të raketës “Oreshnik”

KIEV, 9 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të reagojnë, pas përdorimit nga Rusia të një rakete me rreze të mesme, të aftë për mbushje bërthamore, në sulmet e fundit ndaj Ukrainës.
”Rusia bombardoi sërish Ukrainën gjatë natës, duke përdorur 242 dronë, 22 raketa lundruese dhe 13 raketa balistike, përfshirë edhe raketën ‘Oreshnik’, e cila është e aftë të mbajë ngarkesë bërthamore”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.
Sipas tij, u goditën infrastruktura civile, objekte energjetike si dhe një ndërtesë e lidhur me ambasadën e Katarit në Kiev.
Zelensky raportoi gjithashtu për shumë viktima.
Pretendimet nuk mund të verifikoheshin menjëherë në mënyrë të pavarur.
Nga ana e saj, Rusia ka deklaruar se përdorimi i raketës “Oreshnik” ishte një përgjigje ndaj një sulmi të supozuar ukrainas ndaj një prej rezidencave të presidentit rus, Vladimir Putin, në fund të vitit të kaluar.
Moska e ka përdorur “Oreshnik” kundër Ukrainës vetëm një herë më parë, në një sulm ndaj qytetit Dnipro në nëntor të vitit 2024.
”Nevojitet një reagim i qartë nga bota”, tha Zelensky.
”Para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara, sinjalet e të cilave Rusia i merr vërtet parasysh. Rusia duhet të marrë mesazhe se është detyrimi i saj të fokusohet te diplomacia dhe duhet të ndiejë pasoja sa herë që zgjedh sërish vrasjet dhe shkatërrimin e infrastrukturës”, tha ai./ /Ad.Ab./ a.jor.