E Diel, 1 Nëntor 2026

URIMI I PRESIDENTIT TOPI, DREJTUAR KOMBIT ME RASTIN E VITIT TË RI 2008.

31 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi uroi sot gjithë shqiptarët kudo ndodhen me rastin e Vitit të Ri 2008.

"Të dashur motra e vëllezër bashkatdhetarë, kudo ndodheni, brenda dhe jashtë Shqipërisë!

Në vigjilje të Vitit të Ri 2008, vit veçanërisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë, ju dërgoj, nga thellësia e zemrës sime, çdonjërit prej jush, urimet më të ngrohta!

Në këtë natë të ndërrimit të viteve, unë mendoj me shumë respekt për të dashurit tanë, të cilët janë ndarë prej nesh duke na lënë kujtimin e bukur dhe të paharruar të tyre.

Në këto çaste të bukura, për të gjitha familjet shqiptare, uroj më shumë dashuri, më shumë ngrohtësi dhe më shumë durim për të ndërtuar një vit më të qetë, një shoqëri më të begatë!

Në këto momente të rrjedhjes së kohës, dëshiroj t’u jem mirënjohës të gjitha nënave shqiptare, të cilat i dhanë jetë jetës, duke e bërë më të bukur vitin që largohet ngadalë.

Së bashku me tik-tak-un e orës dëshiroj t’u qëndroj besnik ëndrrave të fëmijëve tanë për një vit më të bukur dhe të lumtur!

Me vrullin e vrapit të viteve, përkujdesi im bëhet pjesë e vullnetit dhe forcës së të rinjve shqiptarë për të ndryshuar të ardhmen e tyre, për t’u dhënë një realitet të ndershëm dhe konkurrues.

Urimi im, me respekt të thellë, shkon tek të moshuarit e shoqërisë sonë, të cilëve duhet t’u lehtësojmë peshën e viteve duke u dhuruar një vit më të lumtur, një jetë më të qetë dhe një mirëqenie të denjë për vlerat e tyre.

Dëshiroj të ndaj urimin e sotëm, me respekt dhe mirënjohje, me ushtarakët tanë kudo ku ata shërbejnë në botë, të cilët mbrojnë paqen dhe vlerat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve!

Kam dëshirën e madhe të ndaj urimin tim sot me të gjithë shqiptarët, të cilët për një jetë më të mirë për familjen dhe fëmijët e tyre, nisën rrugën e dhimbshme të emigracionit, me ata të cilët sot japin vlera jo vetëm monetare por edhe njerëzore, morale dhe intelektuale në shoqëritë e huaja ku ata jetojnë dhe punojnë!

Një urim të veçantë për të gjithë ata që, në këto çaste, do të jenë në shërbimin tonë, që punojnë dhe sakrifikojnë për ne të gjithë, në mënyrë që kjo natë të bëhet më e bukur, më e ndriçuar!

Në këtë ditë të fundit të vitit, vëmendja ime shkon tek njerëzit më në nevojë, ata që janë të vetmuar apo të sëmurë, për të cilët të gjithë duhet të dëshmojmë më shumë ndjeshmëri dhe përgjegjësi.

Në këtë natë të veçantë, do të kisha urimin që, vitin që vjen, shoqëria shqiptare të transformohet në një shoqëri të vlerave dhe të virtyteve ku individi të ndiejë peshën e ligjit, vlerën e lirisë dhe frytet e demokracisë!

Shqipëria, të dashur motra dhe vëllezër, vazhdon të jetojë ndryshime thelbësore, politike, ekonomike e sociale. Unë dua që të gjithë të jemi krenarë ndaj çdo arritjeje që vendi ynë shënon në rrugën e vështirë për një të ardhme më të sigurt dhe për një jetë më të bukur të qytetarëve shqiptarë.

Do të dëshiroja që, në vitin e ardhshëm, gjërat të ecnin më shpejt dhe më mirë për çdo njërin prej jush!

Vështirësitë që kemi përballuar së bashku gjatë këtij viti, si kriza e rëndë energjetike, shtrenjtësimi i vazhdueshëm i jetesës, korrupsioni administrativ, zvarritja e pafundme e çështjes së pronave dhe pronarëve të ligjshëm, pamundësia për përmbushur detyrimet ligjore ndaj qytetarit, nuk duhet të na shuajnë shpresën dhe as të na zbehin vullnetin e përbashkët për të ndërtuar një vit më të mirë për ne të gjithë.

Viti 2008 pritet t’i sjellë ngjarje historike popullit shqiptar.

Shqipëria është afër realizimit të dëshirës së saj për t’u bërë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut në muajin prill, duke provuar se ajo po rikthehet në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara, së cilës ajo i përket.

Kosova do të festojë fitoren më të madhe në historinë e saj, mëvetësinë e saj, mëvetësinë e shtetit më të ri me kufij dhe koncepte evropiane.

Jam më se i bindur që vetëm ju, puna, talenti dhe ndërgjegjja juaj mund të bëjnë që Shqipëria të forcojë gjatë vitit 2008 të gjitha vlerat politike, ekonomike, kulturore e sociale, akoma të brishta në vitin që po lëmë pas.

Vetëm duke u bashkuar rreth vlerave të vërteta, vetëm duke qenë vetvetja, vetëm duke dashur më shumë njëri-tjetrin, Shqipëria do të jetë e aftë të përballojë me sukses sfidat e saj të modernizimit dhe të qytetërimit. Vendi ynë beson tek ne. Shqipëria ka nevojë për të gjithë.

Gëzuar!

Rroftë Shqipëria!

Rroftë populli i saj i mrekullueshëm!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›