E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi, letër Ramës: Të ulemi për sheshin “Skënderbej”



TIRANË – Vetëm 24 orë pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Punëve Publike dhe Transportit, zoti Sokol Olldashi, i ka bërë ftesë kryebashkiakut Rama për t’u ulur në bisedime për sheshin e kryeqytetit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Olldashi i ka dërguar një letër zyrtare Edi Ramës, ku parashtrohet kërkesa për të diskutuar bashkë mbi sheshin, për rindërtimin e të cilit qeveria ngre shqetësimin e mungesës së një zgjidhjeje për trafikun e automjeteve.
Dy ditë më parë, kreu i qeverisë, Sali Berisha, i kërkoi ministrit të Transporteve t’i ofrojë bashkëpunim kryebashkiakut, me qëllim zgjidhjen e problemit të trafikut në qendër të kryeqytetit.
Kryeministri deklaroi se "ndërtimi i sheshit ‘Skënderbej’ nuk duhet të shndërrohet në kapital politik, por duhet të kryhet në një bashkëpunim të ngushtë me autoritetet qendrore dhe vendore". Tirana, sipas tij, "problemin më kryesor ka atë me trafikun dhe projekti i ri e përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht: trafiku". Kjo, tha kryeministri, rrezikon ta zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, iu përgjigj kryeministrit Berisha duke theksuar se nuk do të ketë zhvendosje të monumentit të Skënderbeut nga sheshi.
Sheshi “Skënderbej” u shndërrua kohët e fundit në një “mollë sherri” mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Debatet rreth tij u thelluan pasi qeveria deklaronte se Bashkia nuk mund ta rregullojë sheshin, ndaj rikonstruksioni do të bëhej nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës u paraprin deklaratave qeveritare duke nisur punimet në shesh në bazë të një plani të projektuar dhe të fituar nga një studio belge.
Sipas Bashkisë së Tiranës, rikonstruksioni i këtij sheshi është marrë përsipër nga një kredi e marrë nga Kuvajti dhe vlera shkon në 4.3 milionë euro. Punimet në sheshin "Skënderbej" do të kryhen sipas projektit të hartuar nga studio belge "51N4E", fituese e konkursit ndërkombëtar që u zhvillua vitin e kaluar, ku gjithë qendra e Tiranës pritet të pësojë një ndryshim tërësor.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›