Ujëvara e Sotirës, magjia e Tomorit që të fton në një aventurë vjeshte

TIRANË, 18 tetor / ATSH – Arbi Fortuzi/ Vetëm pak kilometra larg Gramshit, ujëvara e Sotirës është një nga destinacionet më magjike për adhuruesit e natyrës. Ujëvara arrin rreth 100 metra lartësi dhe buron nga mali i Tomorit.
Nga më të vegjlit, te më të moshuarit, të gjithë mund të përjetojnë një aventurë në natyrë përmes rrugës që nis nga fshati Sotirë dhe të çon drejt ujëvarës që mban të njëjtin emër.
Turistët mund të planifikojnë piknik në lëndinën pranë ujëvarës, duke u shoqëruar nga tingulli i ujit dhe pamja e paprekur nga dora e njeriut.
Gjatë vjeshtës, gjë që e bën këtë vend edhe më magjepsës është ekspozimi i ngjyrave të kuqërremta që të shoqërojnë përgjatë gjithë shtegut prej rreth 4 kilometra. Në rrugë drejt ujëvarës takon vizitorë vendas dhe të huaj, prindër me fëmijë, madje edhe me foshnje, të cilët shijojnë piknikun pranë ujëvarës.
Banorët e zonës tregojnë se numri i turistëve të huaj nga vende si Italia Polonia, Franca, Çekia, madje edhe nga SHBA dhe Brazili është në rritje, veçanërisht gjatë fundjavës të cilët preferojnë shumë edhe gatimet tradicionale të zonës.
Një çift turistësh danez rrëfyen se ishin njohur me ujvarën e Sotirës përmes rrjeteve sociale.
“Kemi një javë në Shqipëri. E konceptuam udhëtimin si një maratonë në natyrë. Do të shohim edhe kanionin e Holtës dhe liqenin e Zambakëve. Më pas në Berat, kanioni i Osumit dhe në fund Gjirokastër e Përmet”, shprehet Niklas.
Gramshi vitet e fundit është bërë një destinacion gjithëvjetor falë promovimit të bukurive natyrore nga kanioni i Holtës tek ujëvara e Sotirës, e më pas Liqeni i Zi apo ai i Zambakëve.
Bashkia e Gramshit, në bashkëpunim me institucionet qendrore, ka bërë disa investime në rrugë dhe infrastrukturë turistike, po ashtu është investuar dhe në vendosjen e tabelave, sinjalizimeve dhe funksionalizimi i shtigjeve turistike.
Ujëvara e Sotirës, Gramsh - Foto: Arbi Fortuzi 1 nga 9/a.f//r.e/