E Diel, 1 Nëntor 2026

Ukraina godet Moskën me mbi 430 dronë para Samitit të NATO-s

Ukraina ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha me dronë ndaj Rusisë, duke lëshuar qindra mjete ajrore pa pilot drejt Moskës vetëm pak orë përpara nisjes së Samitit të NATO-s.

Sipas kryebashkiakut të Moskës, Sergei Sobyanin, mbi 430 dronë u drejtuan drejt rajonit të Moskës nga mbrëmja deri në orën 06:00 të mëngjesit. Ai tha se shumica e tyre u neutralizuan nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore në zona të largëta, ndërsa 36 u rrëzuan teksa po i afroheshin kryeqytetit.

Ndërkohë, autoritetet ruse raportuan edhe viktima në rajonin e Belgorodit. Guvernatori në detyrë, Alexander Shuvaev, bëri të ditur se një civil humbi jetën gjatë sulmeve me raketa që, sipas tij, u kryen nga forcat ukrainase. Ai shtoi se sulmi shkaktoi edhe zjarr në infrastrukturën lokale.

Po ashtu, shpërthime u raportuan pranë disa objekteve strategjike energjetike në Rusi, përfshirë rafinerinë e naftës Slavneft-YANOS në rajonin e Yaroslavlit, terminalin NOVATEK-Ust Luga në rajonin e Leningradit, një rafineri në rajonin e Kalugës, një terminal transbordimi nafte në Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe terminalin e ngarkimit të naftës në Vysotsk.

Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar ende zyrtarisht mbi këto raportime. Situata mbetet në zhvillim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›