Ukrainë- Katër të vrarë nga sulmi rus në Dnipro, ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për paqe

Një sulm me raketa ruse goditi qytetin e Dnipros në Ukrainë, duke shkaktuar katër viktima dhe mbi 40 të plagosur. Shpërthimi i fuqishëm dëmtoi një godinë zyrash, ndërsa disa raportime sugjerojnë se u përdor një raketë balistike. Dnipro, i vendosur rreth 100 kilometra nga vijat e frontit, ka qenë shpesh objektiv i sulmeve që prej fillimit të pushtimit të plotë rus në shkurt 2022.
Ngjarja ndodhi pak para takimit të emisarit amerikan Steve Witkoff me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ku pritej të diskutoheshin mundësitë për përfundimin e luftës. Witkoff ka zhvilluar më herët takime me delegacionin ukrainas, sekretarin e shtetit Marco Rubio dhe Jared Kushner në Florida. Takimet u cilësuan “konstruktive”, por palët pranuan se mbeten çështje të vështira për t’u zgjidhur.
Mosmarrëveshjet kryesore lidhen me kërkesën e Rusisë që Ukraina të tërhiqet nga pjesët e Donbasit që ende kontrollon, ndërsa Kievi ka deklaruar se nuk do të tërhiqet kurrë. Presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se përçmon përpjekjet për paqe. Një tjetër pikë e nxehtë është çështja e garancive të sigurisë: Ukraina dhe partnerët evropianë kërkojnë mbrojtje të përhershme, si anëtarësim në NATO, por Rusia dhe SHBA e kundërshtojnë.
Ndërkohë, Zelensky po kërkon mbështetje evropiane, me takime në Paris me presidentin Emmanuel Macron dhe vizitë të planifikuar në Irlandë. Ai përballet edhe me sfida të brendshme, pas dorëheqjes së shefit të kabinetit Andriy Yermak në kuadër të një skandali korrupsioni dhe shkarkimit të dy ministrave.
/rtsh.al/