E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja jetëshkurtër e një ankandi

 

SITUATA NË MAQEDONI

Qeverisja e re e Maqedonisë do të drejtohet vetëm nga Nikolla Gruevski. Pjesa shqiptare, vetëm emrin do të ketë të tillë. Pas marrëveshjes Gruevski-Ahmeti, kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë mbetën mall-stogu pa treg. Ahmeti pranoi që ato të mos jenë më në axhendën politike. Lideri tjetër shqiptar, Thaçi, refuzoi tradhtinë e gjashtë kërkesave të shqiptarëve dhe preferoi rikthimin në opozitë.

Gruevski arriti, si i thonë, me një gur, të godasë në dy drejtime; të fitojë kartonët që i duheshin për t’u treguar muskujt shqiptarëve dhe të shfrytëzojë pritjen e paduruar të BDI-së. Kjo e fundit dëshmoi një gjakim për pushtet në kufijtë e legjendës: pjesëmarrje në qeveri në këmbim të eliminimit të axhendës së çështjes shqiptare. Me një fjalë, kapitullim pa kushte. Përfundimisht, Nikolla Gruevski mori në qeveri atë parti shqiptare që iu bind ankandit. Për katër vite, nuk do të hapet asnjë çështje me sigël etnike.

Disa nga pikat e marrëveshjes, janë: nuk do të ketë ligj të posaçëm për të rënët e konfliktit të vitit 200; nuk do të zihet në gojë njohja e Kosovës, deri kur të dëshirojë Gruevski; të mos vihet për diskutim Ligji për Policinë; të mos vihet për diskutim Ligji për Simbolet; bashkimi i Komunës së Kërçovës me komuna tjera, të mos vijë në shprehje edhe për katër vite të tjera; Gjuha Shqipe nuk është më në axhendë; Marrëveshja e Majit nuk ekziston...

Veç kësaj, ka edhe një dozë diktati: ministrat shqiptarë do të zgjidhen nga Kryeministri. Në fakt, jemi në prag të një pushteti shqiptar fiktiv, dhe me kushtet e vendosura nga Gruevski, ka shumë gjasa që çështja shqiptare, për herë të parë pas shumë vjetësh, të ribjerë në nivelin zero, që do të thotë, shqiptarët e Maqedonisë gjatë këtij mandati do të mbeten pa përfaqësim politik dhe institucional real.

Maqedonasit ditën të venë në sprovë dinjitetin, moralin, mprehtësinë dhe kapacitetin politik të shqiptarëve. Nuk ka dyshim se bisedimet për formimin e qeverisë u orientuan pikërisht në këtë kuadër. Për pasojë, mes oreksit të Thaçit dhe dietës së Ahmetit, ai zgjodhi këtë të dytin.

Gjithsesi, thonë që dardha e ka bishtin prapa. Në këtë kuptim, as Gruevski, as Ahmeti, nuk mund të flenë mbi dafina. Megjithëse në bazë të normativave kushtetuese gëzojnë artificialisht legjitimitetin, atyre u mungon elementi kryesor:

Gruevski nuk do t’ia dalë dot të konservojë kërkesat legjitime të shqiptarëve, ndërsa Ahmeti nuk ka mandat të nxjerrë në ankand interesat e tyre. Një gjë dihet ashiqare: Maqedonia nuk mund të qëndrojë asnjë sekondë në këmbë, pa shqiptarët. Anashkalimi i këtij faktori vendimtar, automatikisht e kualifikon si Gruevskin, ashtu edhe Ahmetin, humbës, dhe kjo ndihet që në pikënisje: reputacioni i Gruevskit do të ndeshet me ata që nuk e duan këtë izolim të Maqedonisë, ndërkaq, gjakimi për pushtet i Ahmetit do të ndeshet me reagimin e nervit të kauzës shqiptare. Në këto rrethana, qeveria e ankandit është jetëshkurtër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›