E Diel, 1 Nëntor 2026

Hekurudhat me koncesion? Gabim!

Kryeministri i Shqipërisë, z.Berisha, daljet e për-dit-natë-shme në ekran, për korrikun i hapi me një “sihariq”: privatizimin e Hekurudhës. Nuk e di nëse kjo ishte nga ato fjalët e shpeshta që ka nisur t’ia marrë flladi, apo për shkak të temperaturave të larta që kanë mbërthyer vendin. Nëse heqim mënjanë faktin që Kryeministrin e këtij vendi, e kemi përditë e më të vështirë ta marrim seriozisht, ajo që mbetet është përpjekja për të privatizuar edhe ato pak gjëra që kanë mbetur nga pasuria jonë kombëtare pa patur parasysh efektivitetin e tyre. (Siç ka ndodhur me procedurat “en block” për kontrollin teknik të automjeteve - procedure e cila cenon rëndë sigurinë rrugore; Divizionin e Shpërndarjes së Energjisë e mjaft ndërmarrje të tjera, disa prej të cilave tashmë janë privatizuar, si “Armo” etj.)

Qeveria e zotit Berisha, e mbushur me “agallarë” privatizimesh, mendon se çdo njësi ekonomike apo ndërmarrje që transformohet në Sh.A., patjetër duhet privatizuar. E keni gabim! Aq më shumë gabim e keni në rastin e Hekurudhës. Nuk gjenden shembuj në kontinent! Në të gjithë Evropën, hekurudha është shtetërore! (I vetmi vend që e privatizoi në vitin 1996 ishte Anglia, privatizim që zgjati vetëm gjashte muaj sepse kompania falimentoi. Dhe hekurudha u kthye përsëri në ndërmarrje shtetërore).

Zbatimi i koncesionit në këtë rast nuk do të funksionojë, për shkak se ka gati tre dekada që në atë sektor nuk është investuar në mirëmbajtje (shina, balast, aksesorë, traversa, terminale) dhe investime të tjera, të cilat kërkojnë minimalisht rreth 150 milionë euro.

Në këto kushte nuk besoj së do ti dale njeri për zot sepse legalizohet “de facto” humbja. Edhe në qoftë se ju do të merrni masa të ashpra, transporti përsëri nuk do të mund të dali rentabël. Ju mund të nxirrni një VKM, që transportet nga Porti i Durrësit në një drejtim të ndalohen, pra të bëhen vetëm me hekurudhë, për të favorizuar koncesionarin, por dhe kjo masë nuk do të japë rezultat.

Transformimi i “Sh.a.Hekurudha” gjatë qeverisjes së mëparshme u bë vetëm e vetëm që gradualisht të hiqej dorë nga subvencionet, si dhe për të rritur shkallen e pavarësisë ekonomike të asaj ndërmarrjeje, e cila ishte drejtuar gjithmonë me urdhra nga lart.

Kur dëgjova Kryeministrin, mendova se do ta shtrijë hekurudhën deri në Morinë dhe se paska menduar për fukarenjtë e të dy krahëve shqiptarë, andej dhe këndej, por kjo, mesa duket, nuk qenka e thënë të bëhet. Mbase kjo është fatura e radhës që popullit shqiptar i duhet të përballojë, pas asaj të rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Zotërinj qeveritarë, transporti hekurudhor është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të behën paralele me llojet e transporteve të tjera. Në të gjithë botën zbatohen politika sociale lidhur me këtë transport. Ndaj dhe shteti ndërhyn me subvencione sepse ky transport shfrytëzohet më së shumti nga shtresat vulnerabile. (Edhe në Shqipëri këtë transport e përdorin vetëm të varfrit, sepse të tjerët shfrytëzojnë transportet alternative ndërqytetëse).

Si përfundim, dhënia me koncesion e Hekurudhës dhe privatizimi i saj është një gabim, madje i rëndë. Me këto vendime, vetëm keqadministrohet qeveria dhe qeverisja, si dhe ulet ndjeshëm efektiviteti në fushën e transportit në përgjithësi dhe atij hekurudhor në veçanti.

*Autori është ish zv/ministër i Transporteve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›