Universiteti i Shkodrës me programe të reja. Ndërkombëtarizimi dhe kërkimi shkencor, prioritetet e vitit të ri akademik

Ndërkombëtarizimi dhe kërkimi shkencor do të jenë prioritetet kryesore të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Rektorja, prof. dr. Blerta Dragusha, thekson se studenti do të mbetet në qendër të çdo projekti dhe nisme për zhvillimin e universitetit.
“Duhet thënë që motoja jonë gjatë këtyre dy viteve në fakt ka qenë studenti në qendër, studenti në qendër të kërkimit shkencor duke përfshirë atë në konferenca, në botime, në projekte kombëtare, ndërkombëtare, projekte kërkimore, mundësia për zhvillimin e tyre në projekte Erasmus, në projekte CEOS, në universitete të tjera europiane, mundësia e sigurimit të praktikave profesionale të denja për zhvillimin e tyre të mëtejshëm të karrierës”, tha ajo.
Me nisjen e vitit të ri akademik, universiteti do të hapë edhe programe të reja studimi, si pjesë e strategjisë për zgjerimin e ofertës akademike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
“Aktualisht kemi dy programe që kanë kaluar fazën e parë të aplikimit në ministri dhe janë tashmë në fazën e dytë ku njëri program është një program i cili do të ofrohet totalisht në gjuhën angleze. Gjithashtu po punojmë edhe për hapjen e disa programeve të reja si “double degree”, diploma të përbashkëta me universitete europiane, por kjo mbetet për të ardhmen”, tha ajo.
Universiteti “Luigj Gurakuqi” synon të forcojë cilësinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në vitet e ardhshme.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/