Ushtroi dhunë dhe keqtrajtoi djalin e mitur, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq të atin

Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim shtetasin B.Sh, i akuzuar për keqtrajtimin e djalit të mitur.
Sipas kallëzimit, të bërë nga shtetasja E.M. ndaj shtetasit B.Sh për dhunën e ushtruar ndaj djalit të tyre, shtetasit të mitur N.Sh bëhet e ditur se gjatë kohës që kanë qënë të martuar, bashkëshorti i saj ka ushtruar gjithmonë dhunë psikologjike dhe fizike, por muajt e fundit kjo dhunë u shtua shumë, aq sa e detyroi të largohej nga banesa së bashku me fëmijën e mitur.
“Nga hetimet rezultoi se në datën 12.06.2023, bashkëshorti B.Sh. ka marrë djalin tek banesa e tij dhe më pas e ka marrë në telefon bashkëshorten E.M., duke i thënë se nuk do ta shikonte më djalin dhe treguar djalin e mitur, si dhe mënyrën si e qëllonte me pëllëmbë.
Në këto kushte u arrestua shtetasi B.Sh., dhe ndaj tij u caktua si masë sigurie. Gjithashtu, për këtë ngjarje, u lëshua urdhër i menjëhershëm i mbrojtjes për shtetasin e mitur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria shpjegon më tej pas përfundimit “të një hetimi të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm, rezultoi e provuar se i pandehuri B.Sh ka konsumuar elementë të veprës penale “Dhuna në familje” dhe “Keqtrajtimi i të miturit” parashikuar nga neni 130/a/4 dhe 124/b/1 të K.Penal”.
/rtsh.al/