Vaksina antigrip, 59 412 doza të aplikuara në javën e parë

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Fushata e vaksinimit antigrip ka nisur prej 22 shtatorit, ndërsa 280 mijë doza vaksinash janë në dispozicion të qytetarëve të shpërndara në qendrat shëndetësore në vend.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bën me dije se në javën e parë të fushatës, prej 22-29 shtator janë aplikuar falas 59 412 doza vaksine.
Ata që janë vaksinuar të parët janë “bluzat e bardha”, me rreth 6464 doza ose 23% e numrit total të personelit shëndetësor në vend, si një prej grupeve më të ekspozuara ndaj riskut për shkak të kontaktit me pacientët e të gjitha grup-moshave.
Vaksina antigrip mbetet mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore të shkaktuara nga viruset e gripit që qarkullojnë në stinën e vjeshtës.
Vaksinimi i personelit shëndetësor po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa janë njoftuar qytetarët e moshës së tretë, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të gjithë personat që kanë sëmundje bashkëshoqëruese.
Në udhëzimet e MSHMS-së thuhet se vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal.
E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.

/e.i/r.e/