Java e fundit e tetorit shënon rekord në Kardiokirurgji, 17 operacione të planifikuara dhe 5 urgjenca

Ekipi i mjekëve kardiokirurgë në QSUT ka realizuar 100 operacione me zemër të hapur vetëm gjatë muajit tetor.
Shifra është bërë publike nga shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Altin Veshti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka bërë të ditur se disa prej ndërhyrjeve kanë qenë raste të vështira, të cilat janë realizuar me sukses përmes teknikave të reja.
Sipas Veshtit, nga 100 operacionet e kryera, 10 kanë qenë te fëmijë të lindur me defekte në zemër.
Kryekardiokirurgu e cilëson javën e fundit të tetorit si rekord, pasi gjatë saj janë realizuar 22 operacione me zemër të hapur, duke përfshirë të gjithë spektrin e kardiokirurgjisë.
“17 ndërhyrje të planifikuara; 5 raste urgjente, të realizuara edhe gjatë orëve të natës; mes rasteve urgjente: një pacient me infeksion të rëndë të zemrës dhe katër raste me çarje të aortës”.
Veshti ka veçuar gjithashtu rastet e dy pacientëve në moshë të re, të cilët iu nënshtruan ndërhyrjeve në zemër përmes teknikave që realizohen në pak qendra të Europës dhe që përbëjnë risi për Shqipërinë.
Sipas tij, të gjithë këta pacientë konsiderohen tashmë të shëruar.
Lajme të Sugjeruara