Vdekja e turistit anglez në Durrës, në pranga 56-vjeçari që i dha Jet Ski me qira

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Policia e Durrësit ka arrestuar një 56-vjeçar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pas vdekjes së një shtetasi anglez dhe plagosjes së një 31-vjeçarje, teksa kryenin manovra në ujë me Jet Ski në det në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Policia njoftoi sot se “nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, përballë shkëmbit të Kavajës, rezultoi se shtetasi L. Xh., iu ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, shtetasve S. O. dhe V. B., të cilët nuk kanë qenë të pajisur me lejedrejtimi për këtë kategori mjetesh lundruese dhe nuk i ka pajisur me skafandra”.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 11:15. Sipas policisë “nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore”. /j.p/