Veliaj në ambientet spitalore të IEVP Fier, avokati Ndreca jep detaje: Më dorëzoi disa faqe nga ditari i tij personal

Avokati Plarent Ndreca ka ndarë detaje nga takimi i tij i fundit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj duke zbuluar se si paraqitet gjendja e tij shëndetësore.
Sipas Ndrecës, Veliaj është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit për shkak të dëmtimit në këmbë që kërkon kujdes mjekësor të vazhdueshëm.
Ai shtoi se Veliaj i ka dorëzuar disa faqe nga ditari i tij personal lidhur me përgjigjet që i ka komunikuar Ministrit të Drejtësisë pas takimit në qeli.
“Dola nga takimi me Erionin. Erioni është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të këmbës së thyer, e cila kërkon ende rikuperim dhe trajtim mjekësor.
Ndërkohë, po bëhen gati dy javë që kemi kërkuar zyrtarisht kryerjen e ekzaminimit të nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e konsolidimit të frakturës. Deri më sot, ky ekzaminim nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek rikuperimin e tij.
Erioni më dorëzoi disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal, ku ka shkruar përgjigjet që i ka komunikuar Ministrit të Drejtësisë lidhur me kërkesat e bëra ndaj tij. Këto përgjigje do t’i bëjmë publike”, tha avokati.
Lajme të Sugjeruara