E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi për TikTok, reagon Rama: Të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e cilësoi mbylljen e TikTok nga qeveria si “cënim të lirisë së shprehjes”.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama shprehet se ky vendimi erdhi pasi u kërkua nga 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë.

Sipas Ramës, të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot.

“Gjykata Kushtetuese mendoka që 90% e prindërve dhe mësuesve shqiptarë ishin gabim kur kërkuan mbylljen e TIKTOK-ut!

Fatmirësisht ne e rihapëm TIKTOK-un falë mirëkuptimit që gjetëm tek kompania për masat extra që u morën prej saj, pikërisht falë mbylljes, se të ishte për Gjykatën Kushtetuese, s’do ishte mbyllur fare dhe as masat pozitive s’do kishin ardhur dot!

Falë asaj mbylljes sot prindërit dhe mësuesit mund të jenë pakëz më të lehtësuar, ndërsa falë këtij vendimi që s’dua t’ia ve emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar!”, shkruan Rama në reagimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›