Vengu në Durrës: Po çlirojmë çdo banesë nga uji

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu po ndjek nga afër situatën e përmbytjeve në Durrës, që ka qenë një nga qytetet më të prekura nga moti i keq.
Vengu u shpreh, në një prononcim për Top Channel, se situata po përmirësohet gradualisht.
“Që prej ditës se djeshme dhe gjatë gjithë natës kemi vijuar operacionin me forcat civile dhe të armatosura drejtuar skuadra nga kryetarja e bashkisë dhe prefekti”, tha ministri.
“Kemi një rikuperim progresiv të situatës me forca të përqendruara në Shkozet dhe në ish-Kënetën e Durrësit. Po vijojmë të jemi pranë qytetarëve duke çliruar çdo banesë nga uji. Kemi bërë evakuimin e 300 banorëve si dhe strehimin e tyre. Do qëndrojnë të strehuar derisa të mund t’i rikthejmë në banesat e tyre”, u shpreh ministri Vengu.
Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës dhe po bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në zonat e prekura.
/gj.m/a.f/r.e/