Vengu nga Vlora: Rezultat akoma më i thellë se në 2021-in

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, njëherësh kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Pirro Vengu e cilësoi rezultatin e deritanishëm në rang kombëtar, si jo surprizues, duke theksuar se është në diferencë akoma më të thelluar se në zgjedhjet e shkuara.
“Një rezultat shumë i mirë në Novoselë, Shushica gjithashtu. Kjo reflekton fushatën intensive që kemi bërë, pranë qytetarëve gjatë gjithë këtyre muajve”, deklaroi ai nga KZAZ-ja nr.84 në Vlorë në një prononcim për mediet.
“Nën drejtimin e Bledi Çuçit kam pasur përgjegjësinë dhe privilegjin që të inkurajoj skuadrën dhe të bëj fushatë për skuadrën në bashkinë e Vlorës. Zgjerimi i fushës së lojës, mundësia e votës së diasporës ka ndikuar edhe në artikulimin e një ambicie të re. Jemi duke parë përmbylljen progresive të numërimeve në KZAZ-të e Vlorës, jemi pranë atij objektivi. Megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm, ka qenë një proces i qetë”, shtoi më tej Vengu.
I pyetur për pjesëmarrjen më të ulët të votuesve në këto zgjedhje, Vengu tha se, “ka elementë që mund të kenë ndikuar, përshembull ‘Giro d’Italia’ ka pasur ndikim. Nuk na u dha mundësia që të shtyhej orari në Vlorë, jemi në këto kushte sot”.
/a.f/