E Diel, 1 Nëntor 2026

Vengu për ATSH: Mekanizmat trilateralë forcojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale, përfshijmë dhe aleatë të tjerë

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot se mekanizmat trilateralë si marrëveshja mes Shqipërisë-Kosovës dhe Kroacisë dhe formatet e ngjashme janë praktika të njohura brenda Aleancës.

Duke iu përgjigjur interesit të Agjencia Telegrafike Shqiptare gjatë një konference për shtyp, nëse Shqipëria do të ketë bashkëpunim trilateral apo formate të ngjashme me vende të tjera, si ai i marrëveshjes me Kosovën dhe Kroacinë, Vengu theksoi se “këto mekanizma janë mekanizma shumë të mirënjohur brenda Aleancës”.

Ai solli si shembull nënshkrimin e një marrëveshjeje gjatë ministerialit, sa i përket vlefshmërisë ajrore të vendeve aleate dhe komponentit të burimeve njerëzore që mundësojnë sigurinë e fluturimit në vendet aleate.

“Ishte një format ku u bënë bashkë 10 vende, përfshirë edhe Shqipërinë”, tha Vengu.

Ministri nënvizoi se brenda Aleancës ka shumë formate të tilla, ku vendet bashkohen për një qëllim specifik.

“Mund të jetë një prokurim i përbashkët për një kapacitet ushtarak, si mbrojtja ajrore, radarë, municione apo komponentë të tjerë. Mund të ketë të bëjë me formim të përbashkët. Mund të ketë të bëjë me një qëndrim politik të caktuar”, u shpreh ai.

Vengu shtoi se Shqipëria këto formate i ka ushtruar edhe në të kaluarën dhe do të vazhdojë t’i ushtrojë.

Ai theksoi se “trilateralja mbetet një mekanizëm shumë i dobishëm për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, dhe brenda këtij formati trilateral ne do të kemi mundësinë të tregojmë edhe përfshirjen e aleatëve të tjerë”.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›