E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon lirimi i hapësirave publike

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Në të gjithë territorin e vendit po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga ndërhyrjet e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në terren.

“Vijojmë kudo”, shkroi Rama, teksa ndau pamje nga prishja e ndërtimeve pa leje.

Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

E nisur në korrik 2025, ajo është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.

Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 19 394 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 14 970 raste, ndërsa 4 424 të tjera janë në proces shqyrtimi.

Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›