AIDSSH, sqarim në lidhje me reagimet mbi rastin e Gjergj Velos

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) është njohur me reagimet publike në lidhje me vendimin e këshillit bashkiak Lushnjë për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, Gjergj Velo, i cili në të kaluarën ka firmosur propozime për internime apo dëbime.
Në një njoftim për shtyp, AIDSSH e vlerëson si të përligjur shqetësimin e shprehur nga publiku dhe aktorët e shoqërisë dhe nënvizon rëndësinë e kujdesit institucional në trajtimin e figurave të lidhura me veprimtarinë represive të së kaluarës, kujdes që duhet të ushtrohet edhe nga autoritetet propozuese.
Në funksion të transparencës dhe në dritën e fakteve të reja të publikuara në media, Autoriteti, pasi u njoh me to, rishqyrtoi rastin dhe vendosi t’i dërgojë organeve të pushtetit vendor gjetjet e reja dokumentare mbi rastin, duke i informuar ato në përputhje me kompetencat që i njeh ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.
Pas verifikimit të kryer rezulton se shtetasi Velo nuk ka qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit.
Gjithashtu Velo nuk ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, denoncues në proceset politike ose dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç si dhe nuk ka qenë person me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm.
Autoriteti thekson se nga publikimet e bëra në shtyp, del se Gjergj Velo ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Dëbim Internimeve të Rrethit Lushnjë. Ndërsa sa i takon dokumenteve të publikuara në media për rastin, konstatohet se nuk janë pjesë e fondit arkivor të administruar nga Autoriteti.
Por, sqaron, AIDSSH, ligji qartësisht detyron çdo autoritet publik të rrjetit arkivor, por edhe persona fizik dhe juridikë të vënë në dijeni menjëherë AIDSSH.
“Për më tepër fondet e tjera të PPSH–së dhe të organizatave të tjera politiko-shoqërore mbeten të vështira për t’u përdorur nga AIDSSH, për sa kohë janë të papërpunuara në rrjetin arkivor ku ndodhen, ose të digjitalizohen gjë që ndikon në ushtrimin e detyrave funksionale të AIDSSH pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për marrjen në administrim”, theksohet në njoftim.
Sipas AIDSSH, Dorëzimi i këtyre dokumenteve është domosdoshmëri jo vetëm për verifikimin e zyrtarëve apo kandidatëve për tituj nderi, por edhe në zbatimin e detyrave funksionale ligjore lidhur me procesin e rehabilitimit dhe dëmshpërblimit të personave të prekur direkt me veprimtarinë e ish Sigurimit të Shtetit, e lidhur apo si pasojë e kësaj veprimtarie.
“Autoriteti do vijojë të kërkojë zgjidhjen e këtyre dy sfidave me qëllim promovimin e drejtësisë, transparencës dhe respektit për viktimat e regjimit dhe mbetet i vendosur të vazhdojë të informojë publikun dhe institucionet në mënyrë të qartë, të saktë dhe të pavarur, duke kontribuar në reflektimin mbi të shkuarën represive dhe veprimeve që shkaktuan vuajtje dhe padrejtësi”, thuhet në njoftim.
/k.s/j.p/r.e/