Rama takim me kancelarin Merz në Tivat

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz në Tivat, ku mori pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor.
“Me Kancelarin Merz në Tivat, gjatë bisedës pas mbledhjes së gjatë dhe para largimit, ai për Berlin e unë për Vlorë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Samiti mblodhi sot liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar partneritetin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për ecurinë e procesit të integrimit europian të rajonit.
Takimi u zhvillua gjashtë muaj pas samitit të fundit të mbajtur në Bruksel dhe u kryesua nga presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.
Në Samit morrën pjesë liderët e shteteve të BE dhe Ballkanit Perëndimor si dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Nën temën “Prosperiteti i Përbashkët dhe Stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, liderët diskutuan mbi ecurinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun dhe politikat e BE-së, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Samiti shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni dhe Europa, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Takimi në Tivat u zhvillua në kuadër të zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Europian 2024-2029 dhe konfirmoi rëndësinë që Bashkimi Europian i kushton perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.
/gj.m/r.e/a.f/