E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri shkollor, Cami: Mësimi me turne vetëm në shkollat 9-vjeçare në rikonstruksion

TIRANË, 14 shtator/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme në Drejtorinë e Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, Mirela Cami theksoi sot se mësimi me turne do të aplikohet vetëm në disa shkolla 9-vjeçare, kryesisht në ato që janë në proces rikonstruksioni, ndërsa në gjimnaze mësimi do të vijojë normalisht.

Në një intervistë televizive Cami tha se “në disa shkolla 9-vjeçare mësimi do të zhvillohet me turne, për shembull në shkollat që po rikonstruktohen. Ndërkohë, në gjimnaze mësimi nuk do të zhvillohet me turne dhe kjo është një risi. Në shkollat e reja duhet të kemi parasysh që nxënësit do ta zhvillojnë mësimin në kushte bashkëkohore, që të jenë gati për zhvillimin e testeve kombëtare”.

Lidhur me sigurinë në shkolla Cami informoi se 400 oficerë sigurie do të jenë në krye të detyrës, ndërsa 900 punonjës të shërbimit psikosocial do të jenë në shërbim të nxënësve.

Duke folur për kamerat inteligjente të vendosura në 20 shkolla, Cami tha se “kamerat janë vendosur në korridore, oborre dhe qoshe të ambienteve të shkollës që dikur nuk kishe mundësi t’i shikoje. Nuk ka kamera në klasë, vetëm në ambiente të përbashkëta, për të shmangur çdo konflikt të mundshëm”.

Një tjetër nismë që do të vijojë këtë vit është programi “Pas Shkolle”, i cili do të zbatohet në 408 shkolla në të gjithë vendin.

Sipas Camit, programi synon t’u mundësojë fëmijëve të angazhohen në aktivitete pas përfundimit të orarit mësimor, si dhe të zbulojnë e zhvillojnë talentet e tyre.

“Në 408 shkolla do të zbatohet programi ‘Pas Shkolle’, që fëmijët jo vetëm të kalojnë kohë, por edhe të zbulojnë talentet e tyre. Nuk është një program i detyruar, por kemi parë një interes nga prindërit. Programi do të jetë më shumë relaksues sesa vlerësues. Nxënësit do të bëjnë edhe detyrat e shtëpisë, pas orarit të detyruar dhe një pushimi të nxënësve, ku do të konsumojnë ushqimin e marrë nga shtëpia. Në ‘Pas Shkolle’ do të jenë mësuesit që japin mësim, por edhe mësues që kanë dalë në pension dhe kanë dëshirë të japin mësim”, tha Cami.

Në të gjitha shkollat e vendit nis sot viti i ri mësimor, ditë me emocione sidomos për 25 mijë fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ky vit i ri shkollor 2026-2027 vjen me risi dhe investime të rëndësishme në institucionet arsimore.

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor në të gjithë vendin kanë hapur dyert rreth 42 shkolla të reja dhe terrene sportive, ndërsa vetëm në Tiranë janë ndërtuar 8 shkolla të reja, duke krijuar më shumë mundësi që fëmijët të mësojnë dhe të zhvillohen në ambiente moderne, të sigurta dhe me standarde europiane.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›