Vjen “Jo!” e parë nga grupi i PD për ftesën e Ramës. Albana Vokshi tregon si ndahen votat në grup!

Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të PD, Albana Vokshi u zgjodh nënkryetare e grupit dhe një nga qendrimet e para që po mban në këtë funksion nuk shkon në një linjë me kryetarin e grupit.
Zonja Vokshi e refuzoi hapur ftesën e kryeministrit Rama që opozita të bëhet pjesë e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformat e anëtarësimit në BE. “Ftesa e Ramës është hipokrite. Tentativë për të mbuluar korrupsionin qeveritar dhe lidhjet e tij me krimin. Është një komision që e kthen opozitën në fasadë, përsa kohë që në komisionet hetimore nuk na lihet asnjë hapësirë për kontroll parlamentar. Unë mendoj se nuk duhet të bëhemi pjesë e kësaj hipokrizie. Edi Rama nuk i ka shkuar kurrë deri në fund një premtimi” – tha zonja Vokshi në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.
Të mërkurën, kreu i grupit Parlamentar, Gazment Bardhi nuk tha një “Jo!” finale, por megjithëse në të njëjtin qendrim për Ramën, si Albana Vokshi, ndryshe prej saj, zoti Bardhi deklaroi se PD nuk është bërë kurrë pengesë për integrimin europian.
Por nënkryetarja e grupit demokrat, e pyetur nga gazetarja Elona Meço, nëse mendimi refuzues mbizotëron në grup, u përgjigj shumë qartë: “Personalisht jam për mospjesëmarrje. Mendimi im është që jo, nuk duhet të marrim pjesë. Ky opinion mbizotëron dhe është shumicë, edhe në grup”- u shpreh zonja Vokshi.
Nënkryetarja e grupit parlamentar të PD tha se ky komision i propozuar nga kryeministri nuk është as i nevojshëm, pasi shqyrtimi i legjislacionit që komisioni merr përsipër, është kryer nga Komisioni Europian. “Nuk kemi pse të dublojmë procesin screening të BE, të shpenzojmë para të tjera, kohë dhe energji, sepse Edi Rama kërkon që, përmes pjesëmarrjes së opozitës, të fshijë problemet madhore me korrupsionin e tij”- u shpreh Albana Vokshi në emisionin “Pa çensurë” në RTSH.
/ rtsh.al /