Vlorë – Mbi 1600 gjoba dhe 16 shoferë të proceduar në 10 ditë

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ – Në kuadër të masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e fluksit turistik në zonat bregdetare, strukturat e Policisë Rrugore në Vlorë dhe Sarandë kanë intensifikuar kontrollet në akset kryesore urbane dhe interurbane, gjatë 10 ditëve të para të qershorit.
Sipas informacionit të bërë publik nga Policia e Vlorës, kontrollet janë fokusuar në parandalimin e shkeljeve që përbëjnë rrezik për jetën e përdoruesve të rrugës, si dhe në garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët dhe turistët që frekuentojnë rivierën shqiptare.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë arrestuar dhe proceduar penalisht 16 drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Gjithashtu, janë vendosur 1 683 masa administrative për shkelje të tilla si tejkalimi i shpejtësisë, parakalimet e gabuara, mosvendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mungesa e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, si dhe drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit.
Policia Rrugore njofton se kontrollet do të vijojnë me intensitet gjatë gjithë sezonit veror në të gjithë qarkun e Vlorës, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të bashkëpunojnë me Policinë, duke denoncuar çdo shkelje që mund të rrezikojë jetën në rrugë.
/a.f/