Vlorë, 200 masa ndëshkimore për parkime të gabuara

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Policia e Vlorës ka vendosur 200 masa ndëshkimore ndaj drejtuesve që parkojnë gabim dhe pengojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve.
Sipas Policisë, vetëm gjatë 3 ditëve të para të muajit korrik, janë vendosur rreth 200 masa administrative për parkime të gabuara konkretisht për shkeljen “Ndalim i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve”, në rrugëkalimet e këmbësorëve dhe akset rrugore ku parkimi pengonte qarkullimin e mjeteve të tjera.
Për të siguruar qarkullimin normal dhe të sigurt, janë larguar me karrotrec më shumë se 25 automjete, të cilat janë konstatuar si pengesë në rrugëkalimet e automjeteve dhe këmbësorëve.
Policia Rrugore e Vlorës dhe shërbimet e Rendit të Komisariatit të Policisë Vlorë, duke marrë shkas edhe nga rritja e fluksit të automjeteve dhe pushuesve, kanë intensifikuar kontrollet në qendrat urbane të qytetit, me qëllim sigurimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt të automjeteve dhe këmbësorëve, si dhe ndëshkimin e drejtuesve që parkojnë në mënyrë të gabuar.
Policia e Vlorës do të vijojë kontrollet intensive në të gjitha rrugët urbane dhe ndërurbane të qarkut, për evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që pengon qarkullimin dhe paraqet rrezikshmëri për sigurinë rrugore.
Policia i bën apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të parkojnë vetëm në vendet e lejuara dhe të shmangin parkimin në mënyrë të gabuar, që bëhet pengesë për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve, pasi ndaj tyre do të merren masa administrative, bazuar në Kodin Rrugor, ndërsa mjetet do të largohen menjëherë me karrotrec.
/k.s/j.p/