E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi për Ballukun, Komisioni Europian: SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij

Komisioni Europian reagon pas mbajtjes së seancës së sotme parlamentare, ku u rrëzua me 82 vota kundër kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Duke theksuar rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, thotë se sigurimi i një mjedisi të favorshëm që Prokuroria e Posaçme AntiKorrupsion të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor.

“BE-ja e ka ndjekur rezultatin e votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi ndaj sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë me rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit në BE. Sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.”, thuhet në reagim.

Kjo e enjte shënoi një ditë vendimtare sa i takon çështjes të diskutuar prej muajsh të Belinda Ballukut, e cila tanimë nuk ushtron më asnjë funksion në ekzekutiv.

Me 82 vota kundër, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion për heqjen e imunitetit të ish zv/kryeministres.

Seanca u mbyll me zhurmë dhe kundërshti nga opozita, teksa deputetët godisnin tavolinat në shenjë “proteste”, e në fakt ajo e vërteta u zhvillua paralelisht për 1 orë e gjysmë jashtë ambienteve të Parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›