E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista për median turke/ Rama “ngacmon Erdoğan-in: Galatasaray dhe Fenerbahçe vlejnë më shumë se tregtia mes Ankarasë e Tiranës

Shqipëria dhe Turqia shpesh përshkruajnë marrëdhëniet e tyre bilaterale si “thellësisht strategjike”, të mbështetura në lidhje historike dhe raporte personale të forta midis udhëheqësve të tyre.

Megjithatë, sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, realiteti i pranishëm ekonomik i Turqisë në Ballkan nuk përputhet me ndikimin e saj politik.

Në një intervistë ekskluzive për “Türkiye Today“, Rama dha një vlerësim të hapur për rolin e Ankarasë në rajon.

Ai hodhi poshtë narrativat e përsëritura mbi ambiciet “neo-otomane” të Turqisë, duke sfiduar Ankaranë që të shkojë përtej popullaritetit personal të presidentit Recep Tayyip Erdoğan dhe të forcojë strategjinë e saj ballkanike me investime konkrete ekonomike.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Presidentin Erdoğan, që e gjej një person të lehtë për t’u kuptuar. Ai është shumë i drejtpërdrejtë; po është po, jo është jo”, thotë Rama sa i përket marrëdhënieve personale me presidentin turk.

Ndërsa Rama lavdëroi personalisht Erdoğan si një “mik të madh” dhe udhëheqës të “drejtpërdrejtë”, ai theksoi se Turqia duhet të bëjë më shumë për të konsoliduar partneritetin rajonal. Kur u pyet mbi shtyllat strukturore të partneritetit Shqipëri-Turqi dhe progresin e tregtisë, Rama ishte i qartë.

Ai bëri një krahasim për të ilustruar hendekun midis marrëdhënieve politike dhe lidhjeve ekonomike:

“Nuk kam bërë llogaritë e Galatasaray dhe Fenerbahçe, por kam frikë se së bashku, vlera e tyre është më e lartë se vlera e tregtisë midis Turqisë dhe Shqipërisë, dhe kjo nuk mjafton. Ne duhet të kalojmë së paku ligën turke!”

Ai theksoi se aktualisht nuk ekziston ndonjë projekt ekonomik që të përforcojë marrëdhënien bilaterale.

“Produkti më i madh që Turqia ka eksportuar në rajon është, pa dyshim, Erdoğan dhe popullariteti i tij”, tha Rama. Nuk e di nëse ai e pëlqen atë që po them tani, por po e them: nuk mjafton. Duhet diçka që shkon përtej tij”, shtoi më tej.

“Do të doja që Turqia të bënte më shumë. Ka paragjykime, stereotipe dhe gjëra të kota mbi përfshirjen e Turqisë në rajon, por për mua, nuk mjafton. Është shumë larg mjaftueshmërisë”, ka thënë Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›