Vranë biznesmenin Eduart Reçi për interes pasuror, Prokuroria e Tiranës çon për gjykim dy vëllezërit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy vëllezërit, F.D. dhe Sh.D., të cilët akuzohen për vrasjen me paramendim të biznesmenit Eduart Reçi, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2024.
Dy vëllezërit do të përballen në gjykatë me tre akuza penale, “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se vëllezërit Sh.D. dhe F.D. kanë pasur një konflikt të gjatë pronësor me viktimën, pasi një pjesë e lokalit të tyre dyshohet se ishte ndërtuar në tokën e biznesmenit.
Viktima Reçi, i cili ndër vite kishte ndërtuar dy pallate dhe një vilë në Tiranë dhe i kishte dhënë me qira njësitë përkatëse, kishte debatuar me vëllezërit e akuzuar lidhur me zaptimin e sipërfaqes së tokës së tij. Prokuroria thotë se për shkak të pozicionit të Sh.D. si oficer policie, viktima kishte hezituar t’i drejtohej gjykatës, duke kërkuar që ata ta lironin vullnetarisht territorin.
Sipas organit të akuzës, vëllezërit kishin frikë se, në rast të ndërtimit të një godine të re në zonë, do të detyroheshin të lironin tokën e zaptuar, çka do t’i dëmtonte financiarisht. Ky motiv besohet se i ka shtyrë ata të planifikonin vrasjen.
Hetimet kanë zbuluar se Sh.D., në rolin e ekzekutorit, ka vepruar në bashkëpunim me vëllanë e tij, duke organizuar një plan të detajuar për eliminimin e biznesmenit: kryerjen e qitjes në poligon për saktësi, sigurimin e armës së zjarrit dhe dylbive për qitje natën dhe në distancë, përcaktimin e vendit nga ku nuk do të kapeshin nga kamerat, vëzhgimin e rutinës së viktimës, e cila dilte çdo mbrëmje për të pastruar oborrin, hedhjen e fishekzjarreve për ta nxjerrë viktimën në pritë, si dhe kryerjen e veprimeve për të shmangur identifikimin dhe përgjegjësinë penale.
Sipas Prokurorisë, dyshja fillimisht ka kryer tentativën e parë të vrasjes më 8 nëntor 2024, ndërsa vrasja ka ndodhur më 13 nëntor 2024.
Me përfundimin e hetimeve, dosja tashmë i është dërguar Gjykatës së Tiranës, e cila do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të pandehurve.
/rtsh.al/