Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja-Reagon presidenti Begaj: Atentat makabër ndaj sistemit të drejtësisë

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme ku mbeti i vrarë gjykatësi Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit.
Në një postim në rrjetet sociale, Begaj ka shprehur tronditjen e thellë dhe ka kërkuar dënimin e ashpër ndaj këtij akti barbar.
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja”, shkruan presidenti Begaj.
Ai ka theksuar se ky sulm nuk është vetëm një goditje fatale ndaj një gjyqtari por një atentat i drejtpërdrejtë ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë.
“Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale”, shkruan më tej Begaj.
Begaj ka shprehur ngushëllimet e sinqerta ndaj familjes së të ndjerit.
“Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen,” ka përfunduar deklaratën e tij Begaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e sotme kur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, një person i armatosur qëlloi në drejtim të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke i marrë jetën.
Të shtënat nga autori i dyshuar Elvis Shkëmbi i shkaktuan plagë fatale viktimës. Ai mësohet se u transportua menjëherë për ndihmë, por mbërriti pa shenja jete në Spitalin e Traumës.
Ngjarja ndodhi brenda sallës së gjyqit, ku gjyqtari i ndjerë po ndiqte procesin me palë të tjera. Pjesëtarët e një familjeje, atë e bir, njoftohet se u plagosën në vendngjarje, në kraharor e gjymtyrë, por pa rrezik për jetën.
“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën,” njoftoi Policia e Shtetit.
Autori i dyshuar i ngjarjes u arrestua pas sulmit dhe është shoqëruar në Komisariatin nr. 1 në kryeqytet. Shërbimet e Policisë sekuestruan edhe armën e krimit. Rrethanat e ngjarjes dhe motivet e sulmit mbeten të paqarta.
Paraprakisht mësohet se i dyshuari Shkëmbi ka qenë pala e dëmtuar e një procesi gjyqësor për një çështje pronësie, e cila po shqyrtohej nga gjyqtari Kalaja. Ky fakt mësohet se u shqiptua prej tij para se të hapte zjarr brenda sallës së gjyqit.
/rtsh.al/