Vrasja në Kamëz, Policia thirrje qytetarëve për kujdes: Sadik Llani i armatosur dhe i rrezikshëm, shpërblim 10 mijë euro kush jep informacion që çon në kapjen e tij

Sadik Llani, autori i dyshuar i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi është ende në kërkim, ndërsa policia i bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes. Përmes një njoftimi, Policia informon se Llani është i armatosur dhe se konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.
Po ashtu, Policia ka vendosur edhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që disponon informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Policia i kërkon qytetarëve që të mos ndërhyjnë, por të njoftojnë menjëherë Policinë.
Ngjarja u regjistrua mesditën e kësaj të hëne (8 qershor), në afërsi të një kalçetoje, ku dyshohet se viktima dhe autori kishin patur një debat mes tyre edhe më herët. Llanai dyshohet se e ka ndjekur 27-vjeçarin me makinë dhe më pas ka nxjerrë armën e zjarrit duke qëlluar të riu për vdekje.
Njoftimi i plotë:
DREJTORIA VENDORE E POLICISË TIRANË
Apel për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamëz.
Nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë “RENEA”, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Policia e Tiranës garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.
/rtsh.al/