E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Kamzë, policia: 10 mijë euro shpërblim kush jep informacion për kapjen e autorit

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Policia e Tiranës apeloi sot për kujdes dhe bashkëpunim për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit në Kamzë.

Policia njoftoi se “nisur nga rrezikshmëria e lartë e autorit të dyshuar për vrasjen e shtetasit A. B., 27 vjeç, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon ndaj qytetarëve të Kamzës dhe zonave përreth që të tregojnë kujdes të shtuar, pasi autori i dyshuar, shtetasi Sadik Llani, dyshohet se është i armatosur dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore”.

Sipas policisë, për lokalizimin dhe kapjen e tij janë angazhuar Forca Kombëtare e Sigurisë RENEA, strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive në terren.

Gjithashtu, drejtoria Vendore e Policisë Tiranë kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që, nëse konstatojnë këtë shtetas ose disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tij, të mos ndërhyjnë në asnjë mënyrë, por të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin 069 41 05 735 ose në numrin pa pagesë 112.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacionin e saktë që do të çojë në lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Policia e Tiranës tha se garanton ruajtjen e plotë të konfidencialitetit për çdo informacion të dhënë nga qytetarët.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›