Xhaferri: Shpopullimi po boshatis universitetet, pasojë direkte e korrupsionit

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri deklaroi sot se shpopullimi është një nga plagët më të rënda kombëtare që po godet Shqipërinë, duke rrënuar familjen, ekonominë, arsimin dhe vetë të ardhmen e vendit.
Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Xhaferri tha se “shifrat më të fundit të INSTAT për vitin akademik 2025–2026 janë dëshmia më e qartë e dështimit të politikave të qeverisë Rama ndaj arsimit, rinisë dhe të ardhmes demografike të Shqipërisë”.
Sipas tij, universitetet publike po boshatisen me ritme alarmante, ndërsa auditorët po humbin jetën akademike që dikur i karakterizonte.
“Sot auditorët e universiteteve po zbrazen me një ritëm alarmant. Sallat ku dikur kishte jetë, debat, energji dhe konkurrencë akademike, po boshatisen dita-ditës. Kjo është pasoja direkte e një politike që ka larguar rininë, ka shkatërruar besimin tek e ardhmja dhe ka gjunjëzuar një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit: arsimin publik”, tha ai.
Ai theksoi se në 10 vitet e fundit universitetet shtetërore kanë humbur rreth 31% të studentëve, duke rënë nga 116,8 mijë studentë në vitin 2016, në vetëm 81 mijë aktualisht.
“Vetëm gjatë vitit të fundit akademik, universitetet publike humbën edhe 6,8% të studentëve të tyre”, tha ai.
Sipas tij, kjo është ikja masive e trurit të Shqipërisë, është zbrazja e së ardhmes së këtij vendi.
Xhaferri theksoi se universitetet publike janë lënë pa investime, me infrastrukturë të amortizuar dhe pa mbështetje reale financiare për studentët dhe pedagogët.
“Sot studentët përballen me tarifa të larta, kushte të dobëta dhe mungesë perspektive”, tha ai.
Sipas Xhaferrit, me ritmin aktual të boshatisjes së auditorëve, shumë degë studimi rrezikojnë të mos mbijetojnë nga ana financiare dhe akademike.
Xhaferri tha se “Ministria e Arsimit vazhdon të mos ketë asnjë reformë serioze, asnjë strategji afatgjatë dhe asnjë plan konkret për të ndalur këtë katastrofë kombëtare”.
“Kjo gjendje është pasojë direkte e korrupsionit, mungesës së perspektivës, pagave të ulëta dhe një modeli ekonomik që nuk e vlerëson dijen, meritën dhe profesionistin”, tha ai.
/m.q/a.f/r.e/