E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbardhet vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, shpallet në kërkim një 48-vjeçar

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Policia e Gjirokastrës zbardhi sot vrasjen e biznesmenit italian E.S më datë 26 shtator në aksin Nivicë-Salari (Tepelenë), dhe shpalli në kërkim një 48-vjeçar, i cili dyshohet si autor i vrasjes.

Policia njoftoi sot se autor i dyshuar i vrasjes është shtetasi K. S., 48 vjeç banues në fshatin Mesaplik (Vlorë), i cili u shpall në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Sipas policisë, nga hetimet dyshohet se 48-vjeçari, fillimisht është konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta, me shtetasin E. S. dhe me shtetasit që shoqëronin këtë të fundit.

Më pas shtetasi K. S. dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska, në drejtim të këtyre shtetasve dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën 44-vjeçari, njoftoi policia.

Gjatë veprimeve procedurale policia njoftoi se u sekuestruan nga vendngjarja, automjetet e përdorura nga shtetasi E. S. dhe shoqëruesit e tij, si dhe 2 armë gjahu.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një stan në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 48-vjeçari, gjatë kryerjes së krimit.

Po ashtu, njoftoi më tej policia, në këtë zonë u gjet e hedhur në shkurre një çantë, në të cilën ishin 1 palë dylbi me rreze infra, 1 palë dylbi termike, 1 mbajtëse arme dhe 1 elektrik dore.

“Më tej, gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Vlorës, në banesën e 48-vjeçarit dhe në banesat e familjarëve të tij, në fshatin Mesaplik dhe në Vlorë, u gjetën rreth 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak (saçme dhe vjaska), 450 fara të dyshuara Cannabisi dhe 2 kasaforta (të mbyllura)”, njoftoi policia.

Policia bëri të ditur se vijon puna në bashkëpunim edhe me Policinë e Vlorës dhe Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, me qëllim kapjen e shtetasit K. S..

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›