E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbulohet magazina me kanabis në Tiranë, arrestohen 5 anëtarë të grupit kriminal

Zbulohet magazina me lëndë narkotike në Tiranë. Pesë persona, anëtarë të grupit kriminal janë arrestuar nga blutë e kryeqytetit.

Policia bën me dije se gjatë kontrollit në një magazinë me veprimtari prodhimin e paletave të drurit, u gjetën një valixhe me 9 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë.

Sasia e lëndës narkotike është transportuar nga Sukthi në Tiranë, nga dy anëtarët e grupit kriminal.

Nga kontrollet në magazinë dhe banesën e njërit prej këtyre anëtarëve, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1 armë tjetër zjarri, 2 armë të ftohta, 2 automjete, 6 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.      

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Warehouse”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:  

Xh. Z., 25 vjeç, R. K., 21 vjeç, E. Gj., 37 vjeç, A. C., 22 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe, të pestë banues në Tiranë.   Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xh. Z., u gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe 2 armë të ftohta”, thuhet në njoftim.

Hetimet vijojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›